Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Tiranë, në rrugën e Elbasanit.
Burimet bëjnë me dije se një efektiv i Policisë Rrugore i ka bërë shenjë për të ndaluar drejtuesit të një mjeti tip motor.
Ky i fundit nuk e ka zbatuar urdhërin e lëshuar nga efektivi i Policisë dhe i ka dhënë gaz mjetit të tij.
Për rrjehdojë raportohet se 25-vjeçari Merson Ferizaj mori përpara me motor efektivin e Policisë Rrugore, të paidentifikuar me emër, të cilit i ka shkaktuar lëndime në krah.
Efektivi thuhet se ndodhet në spital duke marrë ndihmën e nevojshme mjekësore ndërsa 25-vjeçari, i cili mësohet se është i Forcave Ushtarake është shoqëruar për të dhënë shpjegimet e tij në Komisariat.
“Këtë të hënë rreth orës 08:45, në rrugën e Elbasanit, dyshohet se shtetasi M. F., rreth 25 vjeç, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë Rrugore, për të ndaluar motomjetin që drejtonte, me qëllim kryerjen e verifikimeve. Gjithashtu, shtetasi M. F., dyshohet se për shkak të detyrës, është konfliktuar fizikisht me punonjësin e Policisë, i cili po merr asistencë mjekësore. Shtetasi M. F. është shoqëruar në ambientet e Policisë, me qëllim sqarimin e rrethanave të rastit,” thuhet në njoftimin e Policisë.