Tensionet politike në Serbi janë rikthyer në qendër të vëmendjes, ndërsa një grup studentësh serbë kanë nisur një protestë të pazakontë – një ultramaratonë politike prej 2000 kilometrash nga Novi Sadi drejt Brukselit.
21 studentë u nisën të premten në këtë rrugëtim për të informuar përfaqësuesit e Parlamentit Europian mbi gjendjen e brendshme politike në Serbi, të cilën ata e përshkruajnë si “autoritarizëm në rritje” nën qeverisjen e Presidentit Aleksandër Vuçiç.
Kjo protestë e re vjen pas valës së demonstratave masive në të gjitha qytetet serbe, që nisën në nëntor 2024 pas një aksidenti tragjik në stacionin e trenit në Novi Sad – ngjarje që u bë katalizator për revoltën qytetare.
“Vrapojmë për një Serbi më të mirë dhe demokratike”, u shpreh një nga pjesëmarrësit.
Maratona pritet të zgjasë 18 ditë dhe përfshin përshkrimin e gjashtë vendeve, mes tyre Austria dhe Gjermania. Vrapuesit shoqërohen nga një automjet për mbështetje logjistike.
Studentët, që qëndrojnë në qendër të organizimit të protestave më të mëdha në historinë e vendit, e akuzojnë qeverinë për korrupsion, kontroll të mediave dhe mungesë transparence. Ata synojnë të sjellin presion ndërkombëtar mbi autoritetet serbe përmes kësaj iniciative simbolike dhe të guximshme.