Një ngjarje e rëndë është regjistruar në lagjen nr. 18 të Korçës, ku një 85-vjeçare ka rënë aksidentalisht nga kati i tretë i pallatit ku banonte. Sipas të dhënave paraprake, e moshuara dyshohet se është rrëzuar nga ballkoni dhe ka përfunduar në hapësirën e ngushtë mes murit të godinës dhe motorit të kondicionerit të pallatit.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe zjarrfikëses, të cilat kanë ndërhyrë për të nxjerrë të moshuarën nga vendi ku kishte mbetur e bllokuar. Falë reagimit të shpejtë, ajo është shpëtuar pa lëndime të rënda.
Mjekët e ambulancës i kanë dhënë ndihmën e parë në banesë dhe konfirmojnë se 85-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa pritet të kryhen vlerësime të mëtejshme për gjendjen e saj shëndetësore.


