Një grua e mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë ka ndarë një dëshmi të dhimbshme në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, duke treguar se kishte mbetur shtatzënë pas përdhunimit nga ushtarët serbë dhe kishte ndërprerë shtatzëninë në muajin e dytë.
Ajo tha se aborti ishte vendimi i vetëm që mund të merrte në rrethanat e saj. “Çka më duhet mua ai fëmijë? Ai fëmijë me kryq është, unë s’jam me kryq… e kam abortuar”, rrëfeu ajo, duke theksuar se kishte kërkuar ndihmën e nënës dhe një mjeku për ta kryer abortin.
Sipas saj, dhuna ishte e përsëritur dhe e organizuar, dhe pasojat psikologjike ishin edhe më të rënda se ato fizike. “Historia ime është shumë e gjatë… edhe ma keq kam qenë pas asaj”, tregoi ajo me emocion.
Në përfundim, ajo dha një mesazh për të gjithë ata që janë prekur nga lufta: “Më vjen keq që ju ka ndodhë. Po s’kemi çka me ba, i ka ardhë koha ashtu… dikush nuk ka qejf me u shpreh, por unë nuk e kam problem.”
Dëshmia e saj është një thirrje për dëgjim, drejtësi dhe mbështetje për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

