Policia e Kosovës ka bërë thirrje publike për ndihmën e qytetarëve në identifikimin e një gruaje që dyshohet për përfshirje në një rast vjedhjeje të ndodhur në Prishtinë.
Përmes një njoftimi zyrtar, Policia njofton se Njësia e Hetimeve në Kryeqytet, me autorizim të prokurorisë kompetente, ka publikuar fotografinë e të dyshuarës në rrjetet sociale, duke kërkuar informacion që mund të çojë në identifikimin e saj.
“Çdo informacion i ofruar nga qytetarët që ndihmon në identifikimin e saj do të trajtohet me konfidencialitet të plotë dhe do të ndihmojë në zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në njoftim.
Autoritetet ftojnë qytetarët që të kontaktojnë organet kompetente nëse kanë informacion mbi identitetin apo vendndodhjen e gruas së paraqitur në fotografi.


