Tashmë të drejtat e autorit do të regjistrohen online. Kështu ka miratuar Këshilli i Ministrave përmes vendimit në mbledhjen e qeverisë. Por cilat janë hapat që duhet të ndiqen?
Regjistrimi i së drejtës së autorit është vullnetar dhe u referohet vetëm të drejtave të autorit ndërsa kryhet nga Drejtoria për të Drejtën e Autorit. Aplikimi për regjistrimin e së drejtës së autoritdo të kryhet online në e-Albania në shërbimin elektronik “Regjistrimi i së drejtës së autorit”.
Por, aplikimin e kryen vetëm autori i veprës, trashëgimtari ligjor, përfaqësuesi i autorizuar prej autorit apo bashkëautorit ose agjencia e administrimit kolektiv.
Por cfarë dokumentesh duhen për të vijuar regjistrimin?
Sipas vendimit duhet një mandatpagese, kopjen e veprës online në e-Albania, dokumentimin autorizues të përfaqësimit nëse kërkesa kryhet me përfaqësues, dhe të trashëgimisë nëse kryhet nga trashëgimtari ligjor.
Ndërkohë, procedura e regjistrimit në Drejtorinë për të Drejtën e Autorit zgjat në një afat maksimal prej 30 ditësh ndërsa përfshihen pikat si më poshtë.
Aplikim të dokumenteve shoqëruese në e-Albania, korrigjim të pasaktësive të aplikimit brenda 5 ditëve nga data e aplikimit, shqyrtim të kërkesës në raport me parashikimet e ligjit për të drejtat e autorit brenda 15 ditëve, regjistrim të veprës dhe pajisjen me certifikatë ose refuzim brenda 5 ditëve.
Nëse keni plotësuar të gjitha kushtet ligjore për regjistrimin e së drejtës se autorit, Drejtoria për të Drejtën e Autorit lëshon certifikatën nëpërmjet e-Albania me nënshkrim ose vulë elektronike.