TIRANË– Një studim i ri sugjeron se jo vetëm çfarë hamë, por edhe koha kur e konsumojmë mëngjesin mund të ketë ndikim në shëndetin tonë, veçanërisht me kalimin e viteve.
Studiues nga Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit dhe Universiteti i Mançesterit analizuan zakonet ushqimore të mijëra të rriturve për të kuptuar lidhjen mes orarit të vakteve dhe shëndetit në afat të gjatë.
Ky hulumtim ka ndjekur rreth 3 mijë persona të moshës nga 42 deri në 94 vjeç për më shumë se dy dekada.
Gjatë kësaj periudhe, studiuesit vëzhguan oraret e vakteve të pjesëmarrësve, stilin e jetesës, faktorët gjenetikë dhe rezultatet shëndetësore për të parë se si këto elemente lidhen me njëri-tjetrin.
Rezultatet treguan se me kalimin e moshës, shumë njerëz kanë tendencë t’i shtyjnë vaktet më vonë gjatë ditës.
Gjithashtu u vu re se intervali kohor gjatë të cilit konsumohen të gjitha vaktet bëhet më i shkurtër. Megjithatë, një nga gjetjet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte lidhja mes ngrënies së vonë të mëngjesit dhe një rreziku pak më të lartë për probleme shëndetësore në të ardhmen./Radar.al

