Në qarkun e Korçës, numri i divorceve po njeh rritje shqetësuese, duke u kthyer në një fenomen social me përmasa gjithnjë e më të mëdha. Arsyet janë të shumta, por në krye të listës qëndrojnë emigrimi, gjendja ekonomike dhe mungesa e komunikimit mes partnerëve.
Sipas avokates Entela Dvorani, shumë nga çiftet që i drejtohen gjykatës për zgjidhjen e martesës, prej kohësh jetojnë të ndarë, madje disa prej tyre kanë nisur edhe marrëdhënie të reja gjatë kohës që kanë qenë fizikisht larg njëri-tjetrit. “Shumë çifte kanë 2-3 vite të ndarë, jetojnë në vende të ndryshme dhe krijojnë lidhje të tjera. Largësia nga emigrimi është shkaku kryesor, së bashku me mungesën e kontributit për fëmijët”, shprehet Dvorani.
Në rritje janë edhe rastet e divorceve në moshë të thyer. Sipas Dvoranit, ka çifte 70-vjeçarësh që kërkojnë divorc për arsye të ndryshme, shpeshherë të pazakonta, duke treguar mungesë mirëbesimi dhe durimi mes tyre.
Një tjetër shqetësim mbeten edhe rastet e dhunës që ndodhin mes bashkëshortëve gjatë proceseve gjyqësore për ndarje.
Të dhënat nga Gjykata e Korçës flasin qartë për një tendencë në rritje: në vitin 2023 u regjistruan 402 kërkesa për zgjidhje martese, ndërsa vetëm një vit më parë, numri arriti në 750. Edhe tremujori i parë i vitit 2025 tregon një prirje drejt rritjes së vazhdueshme të këtij fenomeni.