Mediat greke shkruajtën mesditën e sotme se Fredi Beleri ka marrë lejen për të udhëtuar të hënën drejt Strasburgut, ndërsa menjëherë ka ardhë edhe reagimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ku thuhet se ende nuk ka një leje të dhënë për Belerin, i cili është dënuar për shitblerje votash.
Ky institucion ka bërë të ditur se kërkesa e drejtuar ndaj tyre është ende në shqyrtim.
Ndërsa kujtojmë se para reagimit të Drejtorisë së Burgjeve, kreu i PDBNJ Vangjel Dule ka konfirmuar se të hënën Beleri do të kryejë betimin si eurodeputet, gjë që është raportuar edhe në mediat në Greqi.
Fredi Beleri është njëri nga eurodeputetët e Demokracia e Re, partisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Parlamentin Europian, pjesë e grupimit të EPP-së.
Vetëm pak ditë më parë ai u bëri një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e PE, që do të mbahet më 15 korrik.
Fredi Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023.