Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, zhvilloi një takim me përfaqësuesen e Programit ICITAP për Evropën dhe Azinë, Alexzandria Burns, si dhe me drejtuesin e Programit ICITAP në Shqipëri, Richard Deasy, ku u konfirmua vijimi dhe thellimi i partneritetit strategjik mes palëve.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi mbi 30-vjeçar ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Programit ICITAP, i cili është konsideruar një faktor kyç në modernizimin e institucionit, rritjen e kapaciteteve profesionale, forcimin e integritetit institucional dhe përmirësimin e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve.
Drejtori i Përgjithshëm shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që ICITAP ka ofruar ndër vite përmes asistencës teknike, këshillimit strategjik, programeve të trajnimit dhe projekteve të zhvillimit institucional, duke e cilësuar këtë partneritet si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të Policisë së Shtetit.
Gjatë bisedës, Hita theksoi se forcimi i bashkëpunimit me ICITAP-in, Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara dhe agjencitë partnere ligjzbatuese mbetet një prioritet strategjik, me synim rritjen e mëtejshme të kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e praktikave më të mira ndërkombëtare, përdorimin e teknologjive moderne dhe rritjen e efektivitetit në parandalimin dhe goditjen e krimit.

Në përfundim të takimit, palët vlerësuan se partneriteti i ndërtuar mbi besimin, profesionalizmin dhe vlerat e përbashkëta ka sjellë rezultate konkrete në forcimin e sigurisë publike dhe të sundimit të ligjit, duke riafirmuar angazhimin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, me objektivin për ndërtimin e një Policie Shteti gjithnjë e më moderne, profesionale dhe më pranë qytetarëve.


