Site icon Informohu siç duhet

Dosja e Prokurorisë/ Skandali i mbetjeve industriale, Kurum dhe Sokolaj me dijeni të plotë për rrezikshmërinë, fshehën mbetjet për eksport jashtë Shqipërisë

Një hetim i gjerë ka zbuluar një skandal të rëndë mjedisor në lidhje me eksportin e 102 kontejnerëve me mbetje industriale të kompanisë turke Kurum International dhe të kompanisë shqiptare Sokolaj sh.p.k., të cilat dyshohet se janë përpjekur të fshehin natyrën e rrezikshme të materialeve për t’i eksportuar jashtë vendit.

Operacioni policor, i zhvilluar në Durrës, Elbasan dhe Tiranë, ka çuar në firmosjen e 33 masave sigurie me urdhër të Prokurorisë, nga të cilat 26 arrest me burg dhe 7 në arrest shtëpie, duke përfshirë administratorë të kompanive, doganierë, inspektorë mjedisi dhe ish-drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), Arta Dollani.

Hetimi ka nisur pas një sinjalizimi nga OLAF dhe Rrjeti i Bazelit, që monitoron lëvizjen ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme. Rezultatet laboratorike të mbetjeve të sekuestruara (rreth 2,800 tonë) treguan përqendrime të larta të elementëve të rrezikshëm si zink (Zn), hekur (Fe), plumb (Pb), kadmium (Cd) dhe arsenik (As), të cilët mund të jenë kancerogjenë dhe të dëmshëm për shëndetin e njeriut dhe ekosistemet ujore. Materiali u identifikua si pluhur furrash elektrike të çelikut (EAF dust), i tipit Zn-rich.

Sipas dosjes, kompanitë Kurum dhe Sokolaj, duke pasur dijeni për rrezikshmërinë e mbetjeve, kanë kryer veprime për fshehjen e llojit të vërtetë të materialit, për të shmangur detyrimet ligjore vendase dhe ndërkombëtare. Exporti dyshohet se është bërë pa autorizimin e Ministrit të Mjedisit, ndërkohë që dokumentacioni i dorëzuar për deklarim ishte i manipuluar.

Hetimi ka dokumentuar gjithashtu përfshirjen e institucioneve shtetërore, përfshirë AKM dhe Doganën e Durrësit, si dhe personelin e menaxhimit të kalatës lindore nën administrimin e koncesionarit gjerman. Sipas Prokurorisë, shkeljet e legjislacionit mjedisor janë të rënda dhe të qëllimshme, duke rrezikuar seriozisht mjedisin dhe shëndetin publik.

Ngarkesat e kontenierëve, të nisura drejt Tajlandës, u kthyen në Shqipëri pas sinjalizimit ndërkombëtar për dyshimin se përmbanin lëndë toksike. Hetimet vijojnë dhe priten zhvillime të tjera në një nga dosjet më të mëdha mjedisore të viteve të fundit.

Exit mobile version