Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku zhvilloi një mbledhje të rëndësishme në ambientet e Bashkisë Lushnjë, ku kërkoi zbatimin e menjëhershëm të urdhrit të Kryeministrit Edi Rama për reformimin dhe rritjen e performancës së administratës vendore.
Në takimin me 13 drejtorët e bashkisë, Balluku u kërkoi atyre të paraqesin dorëheqjen. Më pas, çdo drejtues do t’i nënshtrohet një procesi rivlerësimi individual përmes interviste, nga i cili do të varet rikthimi apo jo në detyrë.
Pas mbledhjes me drejtorët, zëvendëskryeministrja u takua edhe me 15 kryetarët e njësive administrative, të cilëve u kërkoi dorëheqje të menjëhershme, si pjesë e implementimit të drejtpërdrejtë të udhëzimeve të qeverisë qendrore.
Gjatë vizitës në Lushnjë, Balluku u shoqërua nga kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa, si dhe deputetët Petrit Malaj, Elton Korreshi, Asforrald Haxhiu dhe Kiduana Zaka.
Kjo lëvizje është pjesë e një reforme të thellë administrative që po shtrihet në të gjitha bashkitë e vendit, me synim përmirësimin e efikasitetit të strukturave vendore dhe përfshirjen e profileve të reja në drejtim.


