Dosjet e SPAK dhe bisedat e zbuluara në platformën e komunikimit të krimit të organizuar Sky ECC tregojnë se organizata Çopja nuk e kishte harruar Altin Ndocin, i njohur me nofkën “Kokë Çami”, edhe pasi ai përballej me drejtësinë.
Para arratisjes së tij, anëtarët e grupit shprehnin shqetësim të madh për arrestimin e tij dhe diskutonin mënyra për ta liruar me çdo kusht, duke përfshirë edhe mbulimin e shpenzimeve familjare dhe pagesat për avokatë. SPAK e konsideron këtë një metodë tipike mafioze për të siguruar heshtjen dhe për të ruajtur ndikimin e organizatës.
Altin Ndoci akuzohet për një seri vrasjesh, përfshirë trefishen në Bradashesh ndaj Endri Alibej, Arben Dylgjerit dhe një shtetasi turk, si dhe vrasjen e Kelvi Brahos. Bisedat e Sky ECC dhe rrëfimet e të penduarit Nuredin Dumani tregojnë gjithashtu për përfshirjen e tij në një grabitje prej gati 5 milionë eurosh në pistën e Rinasit dhe refuzimin e një plani vrasjeje me një pagesë 1 milionë eurosh.
Çështja ndaj organizatës Çopja ndodhet në seancë paraprake, ku dyshohet se anëtarët e saj veprojnë si krah i armatosur i të dyshuarve kryesorë. Gjatë seancave të mëparshme, Ndoci ishte i përshkruar si i burgosur i rrezikshëm dhe shpesh i gjakftohtë ndaj akuzave, duke i mohuar ato përmes avokates së tij.
Megjithatë, ndryshe nga të tjerët që janë ende të pa kapur, Ndocin SPAK e kishte tashmë në qeli – nga ku ai arriti të arratisej.

