Një tender me vlerë rreth 425 mijë euro për mirëmbajtjen e sistemeve të sigurisë në Portin e Durrësit është bërë objekt ankimimi në Komisionin e Prokurimit Publik, pasi kompania fituese rezulton të ketë ofruar një çmim më të lartë se konkurrentët.
Sipas të dhënave të siguruara nga Skyweb.al, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) pranë Autoritetit Portual Durrës ka shpallur fituese kompaninë “Laviva Technologies”, e cila ka dorëzuar një ofertë prej 407 mijë euro, ose rreth 96% të fondit limit të parashikuar.
Në garë morën pjesë edhe “Advanced Business Solutions – ABS”, me një ofertë më të ulët prej rreth 320 mijë euro, dhe “AES Communication” shpk, që ofroi afro 380 mijë euro. Një tjetër subjekt, NOAL, ndonëse shprehu interes, nuk paraqiti ofertë ekonomike.
Burime nga Skyweb.al vënë në dukje se vendimmarrja e KVO-së nuk është bazuar mbi ofertën më të favorshme ekonomikisht, por më shumë mbi përmbushjen e kritereve teknike dhe certifikimeve të kërkuara në dokumentacionin e tenderit. Pikërisht këto elementë çuan në skualifikimin e ofertuesve më konkurrues financiarisht dhe shpalljen fituese të “Laviva Technologies”.
Pse u skualifikuan ABS dhe AES
Sipas dokumentacionit të bërë publik, KVO justifikon përjashtimin e “AES Communication” me mungesën e certifikatave të lëshuara nga prodhuesit zyrtarë, ose me certifikata të pavlefshme, sidomos në rastin e pajisjeve HPE, sistemeve Bosch dhe rrjeteve ÇNA. Nga ana tjetër, “ABS” nuk arriti të ofrojë certifikime të unifikuara dhe të barasvlershme me sistemet Bosch për kontroll aksesi, alarm, video-ruajtje dhe integrim sigurie, duke prezantuar dokumente të pjesshme nga prodhues të ndryshëm.
Ankimi dhe përplasja ligjore
Pas shpalljes së fituesit, “Advanced Business Solutions”, një nga kompanitë më të njohura në fushën e teknologjisë dhe përfituese e shumicës së tenderëve në këtë sektor, ka dorëzuar një ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Kompania e Gerond Meçes kundërshton vendimin e KVO-së, që në këtë procedurë përfaqësohej nga zyrtari Kreshnik Bajraktari.
Periudha e ankimimit sapo ka nisur, dhe mbetet për t’u parë nëse edhe “AES Communication” do t’i drejtohet autoriteteve për të kontestuar rezultatin e tenderit që ka shkaktuar jo pak debat, për shkak të përzgjedhjes së ofertës më të lartë në vlerë.


