Keni dëgjuar shpesh njerëz që vuajnë nga probleme të caktuara me shëndetin që si pjesë të kurimit kanë edhe ndjekjen e llixhave.
Por kjo nuk rekomandohet për të gjithë.
Fizioterapisti Altin Erindi thotë se llixhat janë të ngjashme me SPA-t ku njerëzit shkojnë për t’u relaksuar, ama ato nuk përmirësojnë shëndetin e të sëmurëve madje mund të bëjnë edhe të kundërtën, dëmtim.
“Llixha hyn te konceptet e SPA. Vend ku ti mund të relaksohesh, por në konceptim e shërimit të artritit, apo formave të ngjashme ajo nuk ka asnjë efekt pozitiv, madje ka efekte negative.
Ata që thonë se u ka bërë mirë, arsyeja është se normalisht në pamje të parë muskujt ngrohen, qetësohen, e mund të ndihesh i çliruar dy ditë, por problemi është a kanë efekt mbrapa pozitiv? Gjendja më pas vijon të agravohet. Temperatura e lartë gjithmonë e rrit inflamacionin”.