Pavijoni i etnografisë në Muzeun Historik të Shkodrës është një prej seksioneve më të pasura dhe të vizituara të këtij institucioni të trashëgimisë kulturore dhe historike. Kostume popullore të zonës së Shkodrës, mes të cilave xhubleta e lashtë, enë dhe vegla tradicionale, punime të argjendarisë dhe tekstile të punuara me dorë janë disa nga objektet që ruhen me kujdes në këtë pavijon.
“Janë veshje të qytetarëve të Shkodrës dhe sigurisht kostumet kombëtare të malësive tona”, u shpreh Sokol Parmeza, Përgjegjës, Muzeu Historik i Shkodrës.
Nga fillimi i vitit e deri tani, rrjeti i muzeve të Shkodrës ka një rritje të vizitorëve prej 12% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
“Ky vit ka filluar i mbar, jemi në fillim të sezonit turistik dhe deri më tani sistemi i muzeut të bashkisë Shkodrës është vizituar nga shumë vizitor”, tha Parmeza.
Dita Ndërkombëtare e Muzeve është një thirrje për të reflektuar mbi rolin e këtyre institucioneve si ura lidhëse mes të shkuarës dhe të ardhmes. Muzeu i Shkodrës, përmes pavijonit të etnografisë, mbetet dëshmi e gjallë e pasurisë shpirtërore dhe kulturore që ky qytet i ka dhënë Shqipërisë./RTSH/


