Site icon Informohu siç duhet

Detajet e frikshme nga hetimet/ ‘Mos bëni lëvizje. Ata do i shuaj’, si bashkëpunonte me krimin gjyqtarja e Elbasanit

Ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu e cila ndodhet në ‘arrest shtëpie’, akuzohet nga SPAK për korrupsion në shumën 11 mijë euro plus një monedhë flori që dyshohet se ka marrë nga Mikael Kamami dhe bashkëpunëtori i tij, Arzen Mama, djali i “Dine Çamit”.

Vetë gjyqtarja Fetah, e cila thirrej me nofkën “Komshia”, nuk del në asnjë komunikim të drejtpërdrejtë me anëtarët e kësaj organizate. Madje as rezulton të jetë përdoruese e aplikacionit “Sky”. SPAK mjaftohet nga komunikimet në “Sky” mes Arzen Mama, sekretares Denada Toda dhe Mikael Kamamit.

Sipas bisedave del se Pajtimja takohej me Arzen Maman në ambjentet e shtëpisë së saj.

SPAK thotë se gjyqtarja Pajtime Fetah për shkak të pozicionit të punës ka marrë vendime, të cilat më pas ia ka bërë me dije Mikael Kamamit, nëpërmjet Denada Todes dhe Arzen Mama.

Në 14 gusht 2020, kohë kur Elbasani vlonte nga vrasjet seriale, Mikael Kamami i ka kërkuar Arzen Mama që të shkojë tek “komshia”, Pajtime Fetah, dhe t’i japë mbiemrin e personit.

Më pas Arzen Mama informon Mikael Kamamin se vajza e Pajtimes, M.Fetah e ka marrë letrën. Më tej Mama i thotë Mikaelit, se “komshija” nuk ka dijeni për deklarimet, pasi prokurori i çështjes nuk i ka vendosur në dosje që të mos dalë sekreti hetimor.

Po në 18 Gusht, Mikael Qosja informon Arzen Mama se “komshija” ka prerë fletën e arrestit për Erjon Alibej, lidhur me vrasjen e Emilajno Ramazanit dhe Regis Runaj. Në lidhje me këtë fakt i tregon Arzenit se ka marrë konfirmimin nga Denada Toda, motra e viktimës Regis Runaj.

Në vijim Arzen Mama informon Mikael Kamami se “Mara” nuk e ka takuar dot komshijen. Mikael Kamami, i tregon Arzen Mama se është i sigurt që e ka bërë “komshia” arrestimin.

Më pas, Arzen Mama i ka kërkuar Mikael Kamamit që t’i japin sa më shumë informacione “komshies” (Pajtime Fetah), pasi duhen prova që të arrestojnë Nuredin Dumanin.

Arzen Mama, i ka treguar Mikael Kamami se gjatë diskutimit që ai ka patur me “komshien” ajo i ka thënë se “Vis Korçarit” i kanë dalë tabulatet telefonike në Ksamil, kur është ekzekutuar Emiljano Ramazani, duke hequr dyshimet e grupit “Çopja” se në këtë ngjarje kishte marrë pjesë “Vis Korçari”.

Më pas Arzen Mama i dërgon Mikael Kamamit, mesazhet me këtë përmbajtje: “…Unë për ju kam fut me themel më tha, do ti shuaj ato, edhe unë tha edhe kryeprokurori”. Që në këtë rast bëhet fjalë për Kreshnik Ajazin, shefin e prokurorisë Elbasan.

Më pas, Arzen Mama i tregon Mikael Kamamit se i ka thënë Pajtime Fetah se Mikaeli, e ka marrë vesh për urdhër-arrestin e firmosur nga ajo për Erion Alibej.

Mesazhet që Arzen Mama i dërgon Mikael Kamamit: “…Më shpejt e mori vesh për ty i thash, që firmose për atë (për Erjon Alibej)…”.

Pajtime Fetah, e ka pyetur Arzen Mamën se informacionin lidhur me arrestimin e Erjon Alibej, mos e ka marrë tek Denada Toda. Arzen Mama, i tregon Mikael Kamamit se ka biseduar me “komshien”, të cilës i ka kërkuar që ajo të bisedoj me kryeprokurorin lidhur me mundësinë që Erion Alibej të porosisë ekzekutimin e ndonjë personi gjatë kohës që ndodhet në paraburgim dhe këtë t’ia faturoj personave të tjerë.

Gjithashtu, Arzen Mama i tregon Mikael Kamami se “Komshija” (Pajtime Fetah) vendimin tek “Krymi” (arrestimin e shtetasit Erjon Alibej) e ka bërë për 30 minuta me vendim të shkurtuar pa sekretare pa asnjë gjë.

Ndërkohë më 20 shtator 2020, Arzen Mama i ka treguar Mikael Kamami se e ka takuar shumë pak komshien (Pajtime Fetah), me të cilën ka biseduar për problemin e Ervis Dakës alias Dragoviç i cili ishte i arrestuar për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”.

Pajtime Fetah, i ka thënë Arzen Mamës se nuk duhet të bëjnë lëvizje në qytet dhe se të nesërmen do takoj Kryeprokurorin Ajazi.

Më 24 shtator 2020 Arzen Mama informon Mikael Kamami, të cilit i thotë se nesër në darkë do takoj komshien (Pajtime Fetah) në shtëpi dhe se do të marrë informacione për persona të cilët kanë ndihmuar grupin e Erjon Alibej.

Më 25 shtator 2020, Arzen Mama i tregon Mikael Kamami se në darkë do ta takoj komshien (Pajtime Fetah) dhe i kërkon Mikaelit, që të mbaj telefonin afër./Oranews

Exit mobile version