Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Qungur të Pejës, ku humbi jetën Eldion Kelmendi, vëllai i reperit të njohur Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti.
Lajmi është konfirmuar edhe nga faqja e fshatit Treboviq në Facebook, e cila njofton se në këtë aksident ka mbetur i plagosur rëndë edhe një banor i këtij fshati. Ai po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin e Pejës dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

“Një aksident i rëndë ka ndodhur pak më parë afër fshatit Qungur, ku ka humbur jetën vëllai i Gjestit, Eldion Kelmendi. Në gjendje të rëndë është edhe një banor i fshatit tonë, i cili ndodhet në operim në spitalin e Pejës. Ngushëllime familjes Kelmendi nga Pavlani për këtë tragjedi të madhe”, – thuhet në njoftim.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitet dhe te fansat e reperit Gjesti, ndërsa policia po heton rrethanat e aksidentit.