Të rinjtë që kanë aplikuar për kredi studentore me garancinë e Ministrisë së Arsimit nuk kanë marr vlerën e miratuar për kostot e jetesës dhe studimet e tyre.
Nga 51 kërkesa u përzgjodhën në të gjithë Shqipërinë 12 studentë të universiteteve publike, të cilët duhet të përfitonin kredi me interes të ulët 1%, pasi 5% do mbulohej nga buxheti i arsimit dhe më pas do e shlyenin atë në përfundim të studimeve, por lista ka ngelur thjesht në letër sepse studentët nuk kanë përfituar asgjë.
Në mesazhet e studentëve dërguar AKFAL-it, institucionit në varësi të ministrisë së arsimit duket qartë shqetësimi i tyre mbi nevojën e kredisë në fillim të qershorit, pasi nuk lejohen të hyjnë në sezonin e provimeve pa paguar tarifën e studimit.
Tanimë me mbylljen e vitit akademik, studentët thonë se kësti nuk ju vlen më. Ndër përgjigjet e marra ju është thënë se procedurat duan kohën e tyre në këtë proces që zhvillohet për herë të parë ndaj dhe vonesat justifikohen.