Trajneri i Francës, Didier Deschamps, minimizoi shqetësimet për gjendjen fizike të Kylian Mbappé, pasi sulmuesi u zëvendësua në fund të fitores 2-0 ndaj Marokut në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026.
Pas ndeshjes, tekniku francez bëri të ditur se kapiteni i “Gjelave” ka pësuar vetëm një shqetësim të lehtë në kyçin e këmbës dhe nuk pritet të ketë probleme serioze për vazhdimin e turneut.
“Ai ka një dhimbje të lehtë në kyçin e këmbës, asgjë serioze”, deklaroi Deschamps.
Trajneri u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, duke e cilësuar fitoren ndaj Marokut si një tjetër konfirmim të nivelit që Franca ka treguar gjatë Kupës së Botës.
“Është një konfirmim i mënyrës se si kemi luajtur deri më tani. Kemi lojtarë të shkëlqyer dhe meritat u takojnë atyre. E vetmja e vërtetë është ajo që shihni në fushë”, tha Deschamps.
Franca siguroi kualifikimin në gjysmëfinale falë golave të Kylian Mbappé dhe Ousmane Dembélé, duke vazhduar rrugëtimin drejt një tjetër finaleje botërore. Mbappé, i cili shënoi golin e parë të takimit, u largua nga fusha në minutat e fundit me një pako akulli në kyçin e djathtë, por gjendja e tij nuk konsiderohet shqetësuese.


