Teksa ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 7 tetorit, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, lajmëroi se emrat e deputetëve kandidatë do të jenë si Tedi Blushi.
Ai u shpreh se “deputetë sufllaqesh nuk çon Ilir Meta në Parlament”.
“Të tregojmë se populli nuk dorëzohet dhe që fuqia e bashkimit qytetar është shumë herë me e madhe se terrori që narkoshteti tenton të mbjellë te qytetarët tanë”, tha ai.
“Deputetët do të jenë si Tedi Blushi të gjithë. Deputetë sufllaqesh nuk con Ilir Meta në Parlament, dakord? Risqet që ka sjellë narkoshteti rëndojnë çdo shqiptar dhe mbi vendin në mënyrën më kërcënuese. Siguria e jetës, punës dhe pronës, është në pikëpyetje për çdo shqiptar. Sot është koha që gjithsecili të marrë përgjegjësitë e tij dhe ne në radhë të parë. Narkoshteti shkulet kur çdo shqiptar ushtron përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe ndaj vendit dhe njëkohësisht ndëshkon me votë dhe protestë të vazhdueshme.
Unë jam i bindur se ndjenja e protestës dhe pakënaqësisë e akumuluar prej kohësh te çdo shqiptar që ndjen peshën e korrupsion skizofrenik të qeverisë për pasigurinë e punës, pronës, shëndetit, çmimeve stratosferike dhe kostos së lartë të jetesës, jam i bindur se flaka e zemërimit të tyre do të shpërthejnë. Geni patriotik i shqiptarëve dhet zgjuar. E vetmja rrugë është përballja ballore. Partia e Lirisë mbështet protestën kombëtare të thirrur me 7 tetor. Të tregojmë se populli nuk dorëzohet dhe që fuqia e bashkimit qytetar është shumë herë me e madhe se terrori që narkoshteti tenton të mbjellë te qytetarët tanë”, u shpreh Meta.