Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për Arben Frrokun, duke lënë në fuqi dënimin me burg të përjetshëm për vrasjen e ish-kryekomisarit Dritan Lamaj.
Frroku kishte kërkuar rihapjen e çështjes, sipas urdhrit të Gjykatës së Strasburgut, pasi gjykatat e vendit nuk i kishin dhënë një përgjigje të arsyetuar për pretendimet e tij kushtetuese. Kushtetuesja, pas shqyrtimit, vendosi të mos pranojë kërkesën për rigjykim nga një trup tjetër dhe të vulosë përfundimisht vendimin e dënimit të përjetshëm.
Sipas dokumentit zyrtar, gjykata thekson se standardet kushtetuese dhe konventore kërkojnë që gjykatat të japin një arsyetim të qartë për çështjet me natyrë kushtetuese, sidomos kur bëhet fjalë për një dënim të rëndë. Në rastin e Frrokut, gjykatat e apelit dhe e Larta kishin vendime diametralisht të kundërta mbi prova kyçe, duke krijuar nevojën për një përgjigje të arsyetuar, të cilën Gjykata Kushtetuese e vlerësoi si të dhënë në mënyrë të mjaftueshme nga vendimet e mëparshme.
Hetimet e kohës identifikuan Frrokun si ekzekutor të Lamajt, i cili u vra në shkurt 2013 në afërsi të banesës së tij. Prokuroria sqaroi se Lamaj ishte qëlluar nga një makinë e vjedhur, ku autorët kryesorë ishin Enver Stafuka dhe Gentjan Bejtja, ky i fundit u vra më vonë, ndërsa Stafuka u arrestua në 2015.
Vendimi i Kushtetueses konfirmon kështu se dënimi me burg të përjetshëm për Arben Frrokun mbetet i paanulluar dhe çështja përfundon në këtë fazë ligjore.


