TIRANË– Shtetësja Eria Ago, e dashura e Safet Bajrit, e cila dyshohet se ka ndihmuar autorët e vrasjes së Fatbardh Licit, ka apeluar sot masën e sigurisë “arrest në burg” të caktuar ndaj saj.
Ago i ka mohuar pretendimet e prokurorisë së Posaçme, duke deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se ditën kur është vrarë Fatbardh Lici, ajo ka qenë në Tiranë dhe jo në Shkodër.
Sëfundmi po qarkullon edhe fotoja e makinës “Mercedes Benz” që shfaqet në vendin e ngjarjes së vrasjes së Fatbardh Licit në Shkodër, më 10 gusht 2018, në Kiras. Ky automjet dyshohet se drejtohej nga Eria Ago.
Bazuar në dosjen hetimore të SPAK, dyshohet se pas vrasjes së Fatbardh Licit në Shkodër, Eria Ago ka marrë me këtë makinë dhe ka sjellë në Tiranë Astmer Bilalin, ndërsa Safet Bajri ka qëndruar në Shkodër.

“Vrasja e shtetasit Fatbardh Lici ka ndodhur rreth orës 07:00 dhe biseda zhvillohet 20 minuta pas vrasjes, kohë në të cilën rezulton se mjeti tip ‘Benz’ me targë AA 989 TE, që shfaqet në vendin e ngjarjes, po drejtohej nga shtetësja E.A. Nga kjo telefonatë kuptohet që shtetasi Astmer Bilali është nën shoqërinë e shtetasit Safet Rustemi dhe bisedon me të dashurën e Safetit. Nga kjo telefonatë kuptohet gjithashtu që personat nën hetim janë në shoqërinë e njëri-tjetrit, dhe se mjeti tjetër përdoret nga E…”, thuhet në dosjen hetimore, sipas euronews.al./Radar.al