Nga takimi i zhvilluar mes kardinalëve në Vatikan u caktua data se kur pritet të zhvillohet ceremonia e varrimit për Papa Françeskun.
Nëpërmjet një njoftimi ata kanë konfirmuar se ceremonia do të zhvillohet të shtunën më 26 prill, në orën 9 të mëngjesit me orën e Mbretërisë së Bashkuar.
E njëjta ditë gjithashtu përkon me mbajtjen e 9 ditëve zie.
Kujtojmë se procesi për zgjedhjen e papës së ri do të fillojë nga 5 maji.
Vatikani gjithashtu ka konfirmuar veçmas se trupi i Papës do të dërgohet në Bazilikën e Shën Pjetrit për ta parë publikun nesër në mëngjes nga ora 9:00.
Trupi i tij aktualisht është vendosur në një arkivol në kapelën e rezidencës Santa Marta, ku ai jetonte dhe dha frymën e fundit.
Njoftimi:
Të shtunën, më 26 prill 2025, në orën 10:00, në ditën e parë të Nëntëditëshit, në sheshin përpara Bazilikës së Shën Pjetrit do të kremtohet Mesha e Shenjtë e varrimit të Papës Romak Françesku, sipas asaj që parashikohet në Ordo Exsequiarum Romani Pontificis (nr. 82–109).
Liturgjia e varrimit do të kryesohet nga Eminenca e Tij, shumë i nderuari Kardinali Giovanni Battista Re, Dekan i Kolegji Kardinalor.
Mund të bashkëkremtojnë:
* Patriarkët dhe Kardinalët, të cilët duhet të jenë në Kapelën e Shën Sebastianit në Bazilikë deri në orën 09:00, duke sjellë me vete mitrën e bardhë prej damasku;
* Kryeipeshkvijtë dhe Ipeshkvijtë, të cilët duhet të jenë në Krahun e Kostandinit deri në orën 08:30, duke sjellë me vete amitin, këmishën liturgjike, rripin dhe mitrën e bardhë të thjeshtë;
* Meshtarët, të cilët duhet të jenë deri në orën 08:30 në zonën e rezervuar për ta në Sheshin e Shën Pjetrit, ku do të veshin amitin, këmishën liturgjike, rripin dhe stolën e kuqe që kanë sjellë me vete.
Në përfundim të Meshës Eukaristike, do të zhvillohen commendatio (lutja e fundit) dhe valedictio (lamtumira). Më pas, arkivoli i Papës Romak do të sillet në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe prej andej në Bazilikën e Shën Mërisë së Madhe për varrosjen.
Qyteti i Vatikanit, 22 prill 2025
Me urdhër të Kolegjit Kardinalor
Mjeshtër i Kremtimeve Liturgjike Papnore
Diego Ravelli
Ipeshkëv titullar i Recanati
LEXO EDHE:
Bota në zi për vdekjen e Papa Françeskut, por ja cili vend ende s’ka bërë një reagim zyrtar