Seksioni i Arkivës në universitetin “Georgtown” publikonte në datën 21 gusht dokumente të deklasifikuara nga takimi Putin-Klinton në Moskë në qershor të vitit 2000, i pari samit i Putin si president i Federatës Ruse me një president amerikan. Shënimet e bisedave janë mbajtur nga Strobe Talbot, zv-sekretar i Shtetit dhe një njohës i rusishtes, një praktikë kjo që i jep shumë vlerë studimit të aspekteve personale në takime të tilla dhe ofron mundësinë e një hulumtimi psikologjik të njerëzve që kanë vendimmarrjen në dorë.
Putin është mikpritësi dhe ai ka detyrën e administratorit, por presidenti amerikan duket që nga mënyra sesi flet dhe çfarë flet se është në pozitën e një mentori, qoftë për përvojën politike, qoftë për faktin se siç vë në dukje redaksia e universitetit, ato vite ishin vitet e një Rusie dhe Putini shumë bashkëpunues me SHBA.
Jemi në vitin 2000, pak muaj nga sulmi i NATO-s në Kosovë dhe këtu me interes është diskutimi mes dy presidentëve për të ardhmen e Kosovës. Më poshtë një pasazh:
• Clinton: …Dua po ashtu t’ju flas për Ballkanin…Nuk dua një Kosovë të pavarur. Amerika nuk ka një interes strategjik afatgjatë në një Kosovë të pavarur, ose që SHBA të jetë një fuqi dominuese në rajon në kurriz të interesave të ligjshme të vendeve të tjera. Ne kemi një interes dhe një rol aty, por po kështu kanë edhe vende të tjera. Ne duam të shohim Ballkain të zhvillohet në një mënyrë që të integrohet me Europën e re. Kjo është në interesin tonë afatgjatë. Unë e pëçmoj spastrimin etnik, edhe nëse vjen nga Millosheviçi, qoftë edhe nëse vjen nga njerëz si ata që ju përmendët më sipër.
• Putin: Çfarë sugjeroni ju?
• Clinton: Millosheviç duhet të ikë. Nëse kjo ndodh, do të ketë më pak arsye për ju që të shqetësoheni për predominimin amerikan në rajon, pasi Serbia do të kthehet në një kurs më normal, përfshirë zhvillimin e lidhjeve natyrale, të besimit dhe të gjakut me Rusinë. Nuk ka ndonjë arsye personale apo politike të dua të qëndroj në rrugën e marrëdhënieve të mira mes Serbisë dhe Rusisë. Por problem është ky tipi që është aty.
• Putin: Do përgjigjem në mënyrë shumë konfidenciale. Është e pamundur për mua që edhe të aludoj në publik se çfarë do them këtu. Po besoj te kolegët tanë këtu se do ta mbajnë në konfidencën më të plotë çfarë do them. Ajo çfarë ju thatë është në përputhje të plotë me atë që mendojmë ne sesi duhet ndërtuar paqja në Ballkan. Por ne nuk kemi gjetur akoma sesi të nxjerrim Millosheviçin. Ky është një problem I përbashkët. Ai na ka mashtruar të gjithëve.
Tani – në mirëbesim – po ju them se kemi dërguar urithët tanë për t’u siguruar që ai nuk do jetë aty për shumë gjatë. Kemi hetuar përmes kanaleve më të afërta, si në familjen e tij ashtu edhe ushtri. Por ai është një gungë shumë shumë e fortë për t’u thyer; është kokëfortë si derri. E di që duket e çuditshme, por ai ndihet shumë i sigurtë. Ju e dini që opozita e majtë serbe ishte këtu. Vendosa që t’i lija të vinin. Nuk kisha pse ta bëja, as edhe të mundësoja që kjo të publikohej. Vendosa t’i jepja mbulimin e duhur mediatik, në mënyrë që njerëzit në Serbi të dinë se është e mundur një lloj tjetër Serbie për ta. Kështu që në parim ne jemi dakord. Por nuk është e thjeshtë. Le të supozojmë se e kemi kuptuar njëri-tjetrin.
Por të shohim realitetet. 200 000 serbë kanë lënë Kosovën. Krahasoje këtë katastrofë humanitare me atë 30-40 000 shqiptarë të përzënë nga shtëpitë e tyre. Edhe serbët janë qenie njerëzore. Procesi i ndarjes së Kosovës nga Jugosllavia po vazhdon. Duam nuk duam, Kosova nuk është më pjesë e Jugosllavisë. Kështu që Millosheviçi nuk është njeriu i duhur për të drejtuar Jugosllavinë. Por duhet të jemi të kujdesshëm për të mos e bërë këtë publike si objektiv politik. Ai është zgjedhur në mënyrë demokratike dhe do të ishte kundërproduktive që të huajt t’u tregonin serbëve se kush mund të jetë apo jo lideri i tyre.
https://nsarchive.gwu.edu/document/33391-document-1-strobe-talbott-notes-clinton-putin-one-one-meeting-first-session-working
Diskutimi mandej vazhdon me temën e mbrojtjes raketore. Pasazhi ilustron më së miri se për sa i takon Ballkanit, Rusia e Putinit artikulon interesa tradicionale duke shënuar kështu pavarësisht një lloj amatorizmi në parashtrim, një qëndrim të njohur. Shifrat që ofron Putin për të larguarit nuk i përgjigjen realitetit, por megjithatë në pohimin e tij se “duam nuk duam Kosova nuk është më pjesë e Jugosllavisë”, gjejmë një dëshmi se lideri rus nuk i beson homologut të tij amerikan për deklaratën se: ne nuk duam një Kosovë të pavarur.
Është megjithatë me interes të shihet konteksti i bisedës për arritjen e një mirëkuptimi në Ballkan: për të dyja vendet, zgjidhja nuk mund të arrihet me Sllobodan Millosheviçin nëpër këmbë. Çka sugjeron se ajo që pasoi me largimin e liderit serb ishte një akord i arritur më herët dhe se asgjë që ndodh në terren nuk i apelon asnjë sentimenti as në Rusi dhe as në SHBA. Analogjinë sesi dy të mëdhenj shtrydhin një të vogël e gjejmë sot edhe në presionin që ushtrohet ndaj Aleksandër Vuçiç që nëse shohim me kujdes është braktisur nga Rusia ndonëse jo publikisht.
Ky dështim kronik gjeneron testamente politike toksike për shoqëri të vogla si ballkaniket dhe në eventualitetin e një rrëzimi të Vuçiç, nuk është e papritur që deklarata si ato të Millosheviçit në fundin e karrierës së tij, të kumbojnë si Miti i ri në Serbi. / Marrë nga profili i Skerdilajd Zaimir


