Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Franca do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës, duke theksuar se kjo do të formalizohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.
Në një postim në platformën X, Macron deklaroi se ky vendim vjen si pjesë e angazhimit historik të Francës për një paqë të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
“Kam vendosur që Franca të njohë Shtetin e Palestinës. Do ta shpall këtë vendim në OKB në shtator,” shkroi Macron.
Ai theksoi se prioriteti i menjëhershëm është ndalimi i luftës në Gaza, shpëtimi i civilëve, vendosja e një armëpushimi, lirimi i pengjeve dhe ofrimi i ndihmës humanitare. Sipas tij, demilitarizimi i Hamasit dhe rindërtimi i Gazës janë thelbësore për stabilitetin.
Macron shtoi se shteti palestinez duhet të jetë i qëndrueshëm, të njohë Izraelin dhe të garantojë sigurinë për të gjitha palët në rajon. Ai e mbylli deklaratën me thirrjen për veprim të përbashkët:
“Francezët duan paqe. Është përgjegjësia jonë, së bashku me izraelitët, palestinezët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, ta bëjmë këtë realitet.”

