Një sulm tronditës me thikë ndodhi pasditen e së premtes në stacionin kryesor të trenit në Hamburg, Gjermani, duke lënë pas 17 persona të plagosur, katër prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00, në platformën 13/14, një nga zonat më të frekuentuara të stacionit, që çdo ditë përshkohet nga mbi 500,000 udhëtarë. Sipas autoriteteve gjermane, sulmi u krye nga një grua 39-vjeçare, e cila është arrestuar menjëherë në vendngjarje. Dyshohet se ajo ka vepruar e vetme dhe se incidenti ishte i izoluar.
Të plagosurit morën ndihmën e parë në vendngjarje, ndërsa disa u transportuan urgjentisht në spitale. Ende nuk janë bërë publike identiteti i autores dhe motivet që qëndrojnë pas sulmit.
Një dëshmitare okularë tha për mediat: “Nuk kisha kufje, dëgjova britmat dhe pashë njerëzit të iknin të tmerruar.”
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të konfirmuar nëse ka ndonjë lidhje me ndonjë akt të qëllimshëm të dhunshëm apo me probleme të shëndetit mendor të autores.


