Danimarka ka njoftuar se do të hapë ambasada të reja në Shqipëri dhe Argjentinë në vitin 2026, si pjesë e rregullimeve të saj organizative për të mbrojtur interesat kombëtare në një kohë pasigurie globale, sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Jashtme daneze.
Ministri i Punëve të Jashtme, Lars Lokke Rasmussen, theksoi se hapja e ambasadës në Tiranë do të mundësojë mbështetjen e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE dhe do të forcojë qëndrueshmërinë e vendit, duke përfshirë mbrojtjen nga ndikimet negative nga Rusia. Ndërkohë, ambasada e re në Argjentinë do të rrisë angazhimin e Danimarkës në Amerikën Latine dhe do të ofrojë mundësi për zgjerimin e marrëdhënieve tregtare.
Si pjesë e këtij ristrukturimi, ambasada në Mianmar do të mbyllet deri në fund të vitit 2026 për shkak të përkeqësimit të kushteve politike dhe sigurisë pas grushtit ushtarak, ndërsa ambasada në Tanzani nuk do të mbyllet, ndryshe nga plani i mëparshëm.
Sipas Ministrisë së Jashtme daneze, këto ndryshime synojnë të krijojnë një shërbim të jashtëm më të fortë dhe të azhornuar, të pranishëm në vendet ku interesat jetësore të Danimarkës janë në rrezik. Me rregullimet e reja, Danimarka do të ketë gjithsej 105 misione jashtë vendit, prej të cilave 71 janë ambasada.


