Në shumë lagje të Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit po vijon zbatimi i urdhrit të Kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike. Trotuaret dhe zonat e përbashkëta, që më parë ishin zaptuar nga tavolina, karrige apo tenda të bizneseve, po pastrohen për të rikthyer funksionalitetin urban dhe sigurinë për qytetarët.
Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri Rama publikoi pamje nga çmontimi vullnetar i strukturave nga vetë bizneset, duke i përshëndetur për ndërgjegjësimin e treguar. “Çuna, ka ardhur koha për t’u tërhequr matanë kufirit të komunitetit dhe për të jetuar me biznes, pa penguar të tjerët të jetojnë në hapësirat e përbashkëta komunitare. Respekte për çmontimin”, shkroi ai.
Ky aksion konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së jetesës në qytete, si dhe rritjes së standardeve të mikpritjes dhe shërbimit në të gjithë territorin, jo vetëm në zonat turistike.
Gjatë gjithë muajit korrik, lirimi i hapësirave publike do të jetë prioritet për strukturat vendore dhe qendrore, duke përfshirë edhe plazhet dhe zonat ndërmjet pallateve. Qëllimi është të sigurohen më shumë hapësira për komunitetin dhe një bashkëjetesë urbane në përputhje me normat moderne.


