Një çift amerikan, Ian dhe Annie Lanphier, ka zgjedhur Shkodrën për të sjellë në jetë djalin e tyre, duke i dhënë emrin Arlo Dren Lanphier, me një mesem shqiptar për të lidhur fëmijën me vendin ku ka lindur.
Annie tregon se vendimi për të lindur në Shqipëri ishte më i lehtë se sa pritej:
“Ka qenë një përvojë shumë pozitive. Gjithçka shkoi më mirë se në SHBA. Shqipëria ka një normë më të mirë vdekshmërie në maternitet, kështu që u ndjeva e sigurt.”
Babai, Ian, thekson mikpritjen e banorëve dhe ritmin e qetë të jetës në Shkodër:
“Njerëzit këtu janë jashtëzakonisht mikpritës. Na pëlqeu edhe emri ‘Dren’ për djalin, për të krijuar një lidhje me Shqipërinë, nëse ai në të ardhmen do të ndjejë këtë identitet.”
Shefi i shërbimit të maternitetit, Sajmir Selmanaj, vlerëson se rasti është i veçantë:
“Çdo gjë shkoi normalisht dhe pacientja mbeti shumë e kënaqur. Nuk është e zakonshme që shtetas nga SHBA të zgjedhin të lindin këtu, por ajo u surprizua pozitivisht nga kushtet dhe kujdesi.”
Ian shton se vendimi i tyre ka ngjallur habi, por është i bindur për zgjedhjen e bërë:
“Shumë shqiptarë na thonë me shaka: ‘Do të shkëmbenim vendet me ju.’ Por Shqipëria ka një të ardhme shumë të ndritur dhe shumë mundësi.”
Historia e çiftit Lanphier tregon se Shqipëria po bëhet një destinacion i preferuar për familjet ndërkombëtare që kërkojnë një vend të sigurt, mikpritës dhe me ritëm jetese më të qetë.

