Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka vendosur të përjashtojë kompaninë farmaceutike “CFO Pharma”, e drejtuar nga Nadir Çausholli, nga pjesëmarrja në tenderat shtetërorë për një periudhë 6-mujore. Vendimi është marrë pas keqinformimit të institucioneve kontraktuese në dy procedura të ndryshme.
“CFO Pharma” është nën hetim për keqinformim lidhur me gjobën e marrë nga Inspektorati i Punës për shkelje të ligjit të punësimit. Kompania ka fshehur këtë informacion në pjesëmarrjen e saj në tenderat e organizuar nga Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë dhe Drejtoria e Shërbimit Spitalor, Has. Ligji për Prokurim Publik parashikon që kompanitë e gjobitura për shkelje të ligjit të punësimit përjashtohen nga garat publike.
Pavarësisht historisë së tij të kritikave të mëparshme, “CFO Pharma” ka fituar kontrata me vlerë të konsiderueshme gjatë viteve 2019-2024. Vendimi i APP-së për përjashtimin e kompanisë për 6 muaj do të kufizojë pjesëmarrjen e saj në tenderat e ardhshëm publikë.
Vendimi
Operatori “CFO Pharma” ishte gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje të rënda, në vlerën 200 mijë lekë të reja. Këtë fakt, kompania e Çaushollit e ka fshehur gjatë pjesëmarrjes në dy tendera të zhvilluara nga Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë dhe nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor, Has.
Sipas APP-së, kompania e Çaushollit e ka fshehur penalitetin, me qëllim keqinformimin e autoriteteve tenderuese. Ligji për Prokurimit Publik parashikon që kompanitë e gjobitura për shkelje të ligjit të punësimit përjashtohen nga tenderat publikë.
Procedura e parë është zhvilluar nga Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë, me objekt “Blerje medikamente”, mbyllur në 30 janar 2024. Fondi limit për këtë procedurë ishte parashikuar në shumën 1.965.307 lekë të reja.
Të dhënat zyrtare tregojnë se ky tender është shënuar “me flamur të kuq”, për shkak se nuk ka pasur konkurencë. Kompania e vetme në garë ishte “CFO Pharma”, e cila ka fituar kontratën me ofertën 1.892.301 lekë të reja.
Procedura tjetër është zhvilluar nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor Has, me objekt “Blerje materiale mjekimi konsumi dhe kirurgjikale per nevoja spitalore”.
Procedura është mbyllur në 17 janar 2024 dhe fondi limit për këtë tender ishte 700.000 lekë të reja. Por, pas përjashtimit të tyre, në garë mbeti vetëm “CFO”, e cila u shpall fituese me ofertën më të lartë, në shumën 696.115 lekë të reja ose me 99.5 përqind të fondit limit.