Pas shtatë rritjeve të normës bazë të interesit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të zvogëlojë normën e interesit me 0.25%. Kjo ulje pritet të ndikojë në nivelet e interesit të kredive dhe depozitave në bankat e nivelit të dytë.
Eksperti i financave Artan Gjergji theksoi se është koha e duhur që ulja e normës së interesit të sjellë një lehtësim të moderuar në kostot e kredisë.
“Kostot e kredisë pritet të lehtësohen, megjithatë bankat shpesh e reflektojnë politikën monetare më shpejt tek depozitat. Kjo ndodh sepse bankat preferojnë të mbledhin më shumë depozita me kosto më të ulët.”
Sa i përket qytetarëve me depozita, eksperti rekomandon që ata të shqyrtojnë opsionet në dispozicion. “Mënyra më e mirë për të mbajtur paratë janë depozitat afatshkurtra ose bonot e thesarit. Për ata që mund t’i mbajnë paratë për një periudhë më të gjatë, investimi në bonot e thesarit me afatë 3, 5, ose 10-vjeçar ofrojnë norma kthimi më të larta.”