Monumenti NEWBORN, simbol i 17 Shkurtit dhe i lindjes së shtetit të Kosovës, mbrëmjen e sotme është “burgosur” në mënyrë simbolike, menjëherë pas përfundimit të ngjyrosjes së tij.
Aktivistët e platformës “Liria ka emër” e kanë rrethuar monumentin me rrethoja hekuri, duke e shndërruar ikonën e lirisë dhe pavarësisë në një imazh burgu. Në rrethojat metalike është vendosur edhe tabela me logon e Dhomat e Specializuara te Kosovës, e shoqëruar me mbishkrimin: “Kosova e burgosur!”.
Sipas Eliza Hoxhës nga organizata “Liria ka emër”, ky aksion përfaqëson një reagim qytetar ndaj asaj që ata e konsiderojnë padrejtësi historike, e cila, sipas saj, prek themelet e shtetit. Ajo theksoi se NEWBORN-i, si simbol i 17 Shkurtit dhe i lindjes së Republikës, po “burgoset” për të pasqyruar ndjenjën e padrejtësisë që qytetarët dhe vetë Kosova po përjetojnë përballë proceseve gjyqësore që po zhvillohen në Hagë.

Me mesazhin “Kosova e burgosur”, Hoxha tha se synojnë të shprehin indinjatën lidhur me këto procese, pasi, sipas saj, në Dhomat e Specializuara po gjykohen historia e vendit, lufta për liri dhe procesi i shtetformimit.
Në paraburgim në Hagë, prej pesë vitesh, ndodhet ish-presidenti dhe ish-kryeministri Hashim Thaci, i cili lexoi Deklaratën e Pavarësisë dhe udhëhoqi procesin e shtetndërtimit. Po ashtu, në paraburgim mbahen edhe ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.