Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për protestën që do të zhvillohet këtë të premte, më 17 tetor, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në njoftim thuhet se gjatë tubimit do të ketë masa të shtuara sigurie dhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse kryesore të Tiranës. Konkretisht, Bulevardi i Ri do të qëndrojë i bllokuar nga ora 17:00 deri rreth orës 19:00.
Përveç protestës së sotme, Policia ka planifikuar masa shtesë edhe për dy evente të fundjavës: “Maratona Fan Run” dhe “Maratona e Tiranës 2025”.
Qytetarët këshillohen të shmangin lëvizjet me automjete në zonat ku do të ketë kufizime, të ndjekin rrugë alternative dhe të respektojnë udhëzimet e efektivëve të policisë që do të jenë të pranishëm në terren për mbarëvajtjen e aktiviteteve.


