Shtetasi turk, Nihat Ozbek, i cili u vu në pranga më 23 nëntor të 2024 në aeroportin e Rinasit, nën akuzë si kreu i trafikut të heroinës nga Irani në Gjermani, së fundmi i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë dhe Komitetit të Helsinkit.
Nëpërmjet kërkesës së bërë Ozbek kërkon verifikimin e kushteve të ambienteve të paraburgimit ku po mbahet i izoluar.
Kujtojmë se ai ndodhet i izoluar në paraburgimin e burgut “313” në Tiranë.
Në kërkesën drejtuar institucioneve mësohet se ai është shprehur se po i shkelen të drejtat themelore në qeli.
Trafikanti i heroinës pretendon se po trajtohet në mënyrë të diskriminuar, pasi atij nuk I lejohet që të komunikojë me familjen në telefon, me skype. Ndërsa shton më tej se gardianët nuk e lejojnë që të marrë ushqime nga jashtë, si dhe nuk e lejojnë që të takojë familjarët.
Në letrën e tij, Nihat Ozbek pretendon se ka gruan e sëmurë dhe dy fëmijët me aftësi të kufizuara.
Ndërsa thekson se para një jave i ndërroi jetë babai dhe ai nuk e fitoi të drejtën që t’i jepte lamturmirën e fundit.
Letra e plotë:
Unë, i nënshkruari Nihat Ozbek, ndodhem aktualisht në paraburgim në Shqipëri në kuadër të një procedure ekstradimi drejt Gjermanisë.
Po ju drejtohem me këtë kërkesë për të denoncuar shkeljen e të drejtave të mia themelore që po më bëhen dhe për të kërkuar ndërhyrjen tuaj.
Që nga momenti që jam vendosur në këtë institucion, jam trajtuar në mënyrë të diskriminuar. Nuk mund të komunikoj me familjen time përmes telefonit ose Skype-it, nuk më lejohet të marrë ushqim nga jashtë, as të kem takime me familjen time. Kam gruan e sëmurë dhe dy fëmijë me aftësi të kufizuara.
Gjithashtu, para një jave më ka ndërruar jetë babai, dhe nuk më lejuan të jap lamtumirën e fundit.
Gjatë kohës që kam qenë në paraburgim, më mbajnë të izoluar në sektorin “Kaush”, pa pasur mundësi komunikimi me askënd, duke më bërë presion. Ndihem në një gjendje të rënduar psikologjike për shkak të kësaj situate.
Ky kufizim ekstrem, pa një vendim gjyqësor të arsyetuar, përbën një cenim të rëndë të të drejtës për kontakt me familjen, si dhe një formë trajtimi çnjerëzor dhe degradues në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me Ligjin nr. 8328/1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve”, dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare mbi trajtimin e të ndaluarve dhe të paraburgosurve.
Kjo situatë është shqetësuese, pasi kufizimi nuk lidhet me ndonjë rrezik real për sigurinë ose për prishjen e provave, por duket se ka natyrë ndëshkuese dhe diskriminuese për shkak të shtetësisë sime dhe rrethanave të veçanta të çështjes.
Për sa më sipër kërkoj:
Verifikimin e kushteve aktuale të paraburgimit për shtetasin turk Nihat Ozbek.
Marrjen e masave për garantimin e të drejtës së tij për komunikim me familjen.
Ndërprerjen e menjëhershme të masës së izolimit, përderisa ajo nuk është e mbështetur në ndonjë vendim ligjor të arsyetuar.
Në pritje të një reagimi institucional dhe human, ju falënderoj për vëmendjen.