Pas përmbytjeve të ditëve të fundit, vendi po përballet edhe me probleme në qarkullimin rrugor si pasojë e reshjeve të borës. Autoritetet kanë njoftuar se segmenti rrugor Bogë–Qafë Thore–Theth do të qëndrojë i mbyllur për qarkullimin e automjeteve gjatë orëve të natës, për shkak të rrezikut të lartë nga ortekët e dëborës dhe përkeqësimit të kushteve atmosferike.
Sipas njoftimit zyrtar, rrezikshmëria është e shtuar edhe për shkak të kufizimit të ndjeshëm të fushëpamjes, çka e bën lëvizjen tepër të rrezikshme. Për këtë arsye, aksi do të mbahet i bllokuar deri në orët e mëngjesit.
Kalimi i automjeteve do të lejohet vetëm në raste emergjente dhe vetëm nën shoqërimin e mjeteve borëpastruese dhe shërbimeve të Policisë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të respektojnë udhëzimet për sigurinë në rrugë


