Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi sot drejtoreshën e re të përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Blerina Gjylameti, gjatë një takimi me ekipin drejtues të institucionit.
Gjatë fjalës së tij, ministri Salla theksoi rëndësinë e drejtimit dhe menaxhimit efikas të AKU-së, si dhe rolin thelbësor që ka siguria ushqimore në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Në takimin me ekipin drejtues u ndalëm te rëndësia e menaxhimit efikas të punës dhe te vëmendja e shtuar ndaj sigurisë ushqimore, e cila mbetet një prioritet kombëtar dhe një shtyllë themelore e procesit tonë të integrimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh ministri Salla.
Ai nënvizoi se AKU do të vijojë të forcojë rolin e tij institucional në shërbim të qytetarëve dhe biznesit, duke rritur besimin e publikut dhe garantuar ushqim të sigurt dhe cilësor. Sipas ministrit, ky objektiv do të arrihet përmes kontrolleve të bazuara në risk dhe rritjes së profesionalizmit të inspektimeve.
Në përmbyllje, ministri Salla shprehu mirënjohjen për drejtuesin e mëparshëm të AKU-së për angazhimin dhe kontributin e dhënë, ndërsa i uroi suksese Blerina Gjylametit në detyrën e saj të re si drejtoreshë e përgjithshme e institucionit.