Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në qytet gjatë 48 orëve të fundit, duke vendosur gjithsej 169 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit. Fokus i veçantë i patrullimeve ka qenë përdorimi i monopatinave, hyrja pa radhë në rrugë dhe përdorimi i xhamave të zinj pa autorizim.
Si rezultat i kontrolleve, janë shqiptuar 71 gjoba për drejtuesit e monopatinave që qarkullonin në kundërshtim me rregullat e trafikut dhe rrezikonin sigurinë e tyre dhe të të tjerëve. Për automjetet që tentuan të futeshin pa respektuar radhën në autostradë janë vendosur 41 masa administrative, ndërsa 57 drejtues automjetesh u penalizuan për përdorimin e xhamave të zinj pa autorizim.
Policia Rrugore bën apel për të gjithë qytetarët që përdorin automjetet dhe monopatinat të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi në lëvizje, të respektojnë radhën në trafik dhe të shmangin manovrat e rrezikshme, duke ndjekur gjithmonë rregullat ligjore të qarkullimit rrugor.

