Një zjarr ka rënë mesditën e sotme në një objekt në rikonstruksion pranë Muzeut Nënujor në Sarandë.
Flakët janë konstatuar në katet nëntokë të ish-maternitetit të qytetit, godinë e cila po përshtatet për t’u shndërruar në Muzeun e Botës Nënujore. Sipas raportimit të gazetares së Top Channel, Entjola Bundo, zjarri dyshohet se ka nisur nga materialet e polisterolit të përdorura gjatë punimeve.
Tymi i zi dhe i dendur u përhap me shpejtësi në zonë, duke shkaktuar shqetësim te banorët dhe bizneset përreth.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse, të cilat ndërhynë për shuarjen e flakëve. Falë reagimit të shpejtë, zjarri u vu nën kontroll dhe u fik plotësisht.

