Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim elektoral në njësinë nr.11 në Tiranë, ku paraqiti programin e koalicionit “PD–Shqipëria Madhështore” për zgjedhjet e 11 majit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha kritikoi ashpër propozimin e fundit të qeverisë për paqen fiskale, të cilën e cilësoi si “parajsë për krimin dhe ndëshkim për qytetarët”. Ai theksoi se motoja e PD do të jetë: “legalizim dhe pastaj urbanizim”, duke garantuar mbështetësit se nuk do të harrohen betejat për shtëpitë e shembura.
Në vijim, Berisha prezantoi programin elektoral, duke premtuar zhdukjen e varfërisë së skajshme brenda 100 ditëve nga ardhja në pushtet. Sipas tij, çdo qytetar në nevojë do të ketë një minimum jetik prej 200 eurosh, ndërsa paga minimale do të rritet në 500 euro.
Në planin e tij, Berisha premtoi gjithashtu reformimin urgjent të sistemit shëndetësor dhe rritjen e mbështetjes për pensionistët, duke kritikuar nivelin aktual të financimit për këtë kategori. Për të rinjtë, ai premtoi pagesën nga qeveria të sigurimeve shoqërore për një vit dhe një grant prej 30 mijë eurosh për çdo çift të ri që ndërton çatinë e vet.
Në përfundim të fjalës, Berisha tha se do të ketë mbështetje të veçantë për gratë dhe vajzat në sipërmarrje, duke theksuar angazhimin për forcimin e familjes shqiptare kundër, siç e quajti ai, “agresionit të ekstremizmit të majtë”.