Kreu i PD, Sali Berisha, gjatë një takimi me qytetarët në Sarandë, premtoi reforma të thella në arsim dhe ekonomi nëse Partia Demokratike vjen në pushtet. Ai deklaroi se do të hiqet kriteri i mesatares për shkollim, duke garantuar arsim për të gjithë të rinjtë, si dhe do të jepen bursa prej 200 euro për studentët.
Sa i përket biznesit, Berisha theksoi se PD do të vendosë taksën e sheshtë më të ulët në Evropë dhe do të ulë tatimin mbi fitimin nga 23% në 10%. Ai premtoi gjithashtu që sigurimet shoqërore për të rinjtë punonjës do të mbulohen nga shteti, ndërsa bashkitë nuk do të kenë të drejtë të vendosin më shumë se 1% taksë mbi xhiron e bizneseve.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te gjendja ekonomike e pensionistëve, të cilën e përshkroi si dramatike, duke akuzuar qeverinë aktuale për neglizhencë dhe vjedhje të pasurisë publike. Ai tha se pensionet në Shqipëri janë më të ulëtat në rajon dhe nuk ndjekin rritjen reale të çmimeve.