Policia e Beratit ka hartuar një plan të posaçëm masash për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë pelegrinazhit në malin e Tomorrit, që zhvillohet nga 18 deri më 25 gusht. Objektivat kryesore janë parandalimi i aksidenteve, menaxhimi i qarkullimit rrugor dhe ruajtja e rendit publik para, gjatë dhe pas aktivitetit. Për këtë do të angazhohen shërbimet e Policisë së Beratit, FNSH Fier, Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore, pushteti vendor, zjarrfikësja, spitali rajonal dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
Janë përcaktuar itinerare të posaçme për mjetet që shkojnë dhe kthehen nga teqeja e Kulmakut, ndërsa për pelegrinët që vijnë nga Çorovoda këshillohet përdorimi i rrugës “Çorovodë – Gjerbës – Teqeja e Kulmakut”. Në disa akse rrugore nuk do të lejohen mjetet e tonazhit të rëndë gjatë gjithë periudhës së pelegrinazhit, ndërsa autobusët dhe minibusët mbi 8 vende janë të ndaluar të qarkullojnë në segmentin “Plirëz – Teqeja e Kulmakut”. Në këtë segment qarkullimi do të bëhet vetëm në kolonë, pa mundësi parakalimi, ndalimi apo pushimi të mjeteve jashtë zonave të përcaktuara nga policia.
Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, kufizimet e shpejtësisë, të mos drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit dhe të përdorin rripin e sigurimit. Në të gjitha akset dhe përreth teqesë së Kulmakut do të ketë shërbime policore 24 orë, për të asistuar qytetarët dhe për të garantuar një pelegrinazh sa më të sigurt.


