Parlamenti Evropian do të mbajë sot mbledhjen e parë pas zgjedhjeve të qershorit, me një prani të rritur të së djathtës ekstreme që synon më shumë ndikim në asamble.
Fredi Beleri u lirua dje në mëngjes nga burgu i Fierit pasi mori leje për të bërë betimin si eurodeputet.
Fillimisht, ai u nis drejt Athinës dhe më pas vazhdoi udhëtimin për në Strasburg.
Jashtë burgut, Beleri u prit nga bashkëshortja, djali dhe një makinë e ambasadës greke.
“Dua të falënderoj të gjithë për mbështetjen gjatë këtyre muajve. Jam shumë i emocionuar dhe i lumtur. Për detaje të tjera do të flasim në Athinë. Faleminderit për gjithçka,” deklaroi Beleri.
Në Athinë, ai u takua me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, për një takim që zgjati rreth dyzet minuta.
Gjatë këtij takimi, Beleri dhe Mitsotakis publikuan foto me sfondin e flamurit të Bashkimit Evropian.
Gjatë fjalës së tij, Beleri komentoi për situatën në Shqipëri duke thënë se e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur nuk është e garantuar.
“Unë nuk mbështes se jam i pafajshëm, këtë po thonë tani edhe shqiptarët,” tha Fredi Beleri.
Ai falënderoi kryeministrin grek, të cilin e cilësoi si lider të helenizimit, duke theksuar se “lufta” e tij vazhdon.