Site icon Informohu siç duhet

Begaj i drejtohet Kushtetueses: Shpallni moskompetencë për dekretin tim, kërkesa e Veliajt e pabazuar ligjërisht

Presidenti Bajram Begaj i ka dërguar një shkresë Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin që përcakton datën 9 nëntor për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës.

Në dokument, Kreu i Shtetit kërkon që Kushtetuesja të shpallë moskompetencë për shqyrtimin e dekretit presidencial, si dhe të heqë pezullimin e zgjedhjeve të vendosur më herët.

Begaj i kërkon gjithashtu Gjykatës që të rrëzojë ankimin e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, duke e cilësuar atë “të pabazuar” dhe duke argumentuar se shkarkimi i tij është akt administrativ, jo kushtetues.

Në përfundim, Presidenti kërkon që Kushtetuesja të urdhërojë KQZ-në të përgatisë zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës në një datë të re, jo më të hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të gjykatës, për të rikthyer “kushtetutshmërinë e procesit të cenuar arbitrarisht”.

Shkresa e Begajt drejtuar Gjykatës Kushtetuese

Institucioni i Presidentit të Republikës, në cilësinë e palës së interesuar, i kërkon Gjykatës Kushtetuese:
Të deklarojë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
Të vendosë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 heqjen e pezullimit për dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
Të vendosë në përfundim të seancës rrëzimin e kërkesës së Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës;

Për shkak se pezullimi ka pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, të urdhërojë në përfundim të seancës KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve për këtë bashki në datën që do të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, datë e cila nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në vlerësimin tonë si palë e interesuar, vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e këtij procesi ankimi, të cenuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese.

Exit mobile version