Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i dorëzoi sot flamurin kombëtar ekipit olimpik shqiptar, Team Albania, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore 2026, të zhvilluara nga 6 deri më 22 shkurt në Milano dhe Cortina d’Ampezzo.
“Flamuri kuq e zi që po merrni sot është i rëndë. Ai përfaqëson pritshmërinë e një vendi të tërë. Nuk kërkon domosdoshmërisht medalje, por dinjitet. Ai mishëron vlerat e paqes, respektit dhe krenarisë, dhe tregon se Shqipëria është e fortë dhe e denjë mes më të mirëve të botës. Nisuni me besim, garoni fort dhe me nder!”, tha Begaj gjatë dorëzimit.
Kreu i Shtetit vlerësoi talentin e sportistëve shqiptarë, duke përmendur Lara Colturin, Denni Xhepën, Lisa Brungën dhe Semire Dautin, dhe theksoi se pjesëmarrja e tyre tregon se sporti shqiptar ka kaluar fazën e pjesëmarrjes simbolike.
Begaj shtoi se, pavarësisht rezultatit, sportistët shqiptarë janë tashmë fitues të krenarisë së gjithë shqiptarëve, veçanërisht të brezit të ri, i cili mëson përmes shembullit të tyre se suksesi arrihet me disiplinë, punë, përkushtim dhe pasion.
“Kur të jeni në start, mbani mend se pas jush janë familjet, federatat, Komiteti Olimpik dhe një popull i tërë që po mësohet të shohë flamurin kuq e zi të garojë si i barabartë mes të barabartëve”, përfundoi Presidenti Begaj.

