Në një përpjekje për të balancuar marrëdhëniet globale mes tensioneve me SHBA-në, Kina po afrohet me Bashkimin Europian. Pekini dhe Parlamenti Europian ndodhen në fazën përfundimtare të bisedimeve për heqjen e sanksioneve ndaj disa ligjvënësve europianë – një lëvizje që sinjalizon zbutjen e raporteve mes dy palëve.
Një zëdhënës i Parlamentit Europian konfirmoi se dialogu me autoritetet kineze është drejt përmbylljes dhe se presidentja e PE-së, Roberta Metsola, do të informojë fillimisht udhëheqësit e grupeve parlamentare nëse sanksionet hiqen zyrtarisht.
“Synimi ynë ka qenë gjithmonë rikthimi i marrëdhënieve konstruktive me Kinën,” tha zëdhënësi.
Ky zhvillim vjen në kohën kur Kina po përballet me tarifa të rënda tregtare nga administrata e Donald Trumpit – përfshirë një tarifë prej 145% ndaj eksporteve kineze – çka e ka shtyrë Pekinin të rishikojë aleancat dhe të forcojë lidhjet me Evropën.
Sanksionet kineze ndaj eurodeputetëve datojnë që nga viti 2021, si kundërpërgjigje ndaj masave të BE-së ndaj zyrtarëve dhe entiteteve kineze për shkelje të të drejtave të njeriut në rajonin e Shinxhangut. Në përgjigje, PE pezulloi ratifikimin e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të Investimeve me Kinën.
Tani, në një klimë të re gjeopolitike, të dyja palët duket se janë të gatshme të rihapin kapitullin e bashkëpunimit.