Qeveria federale gjermane po kërkon shpjegime nga ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, pas një raporti të Washington Post që akuzon ministrin se ka informuar vazhdimisht Moskën për diskutimet dhe konsultimet brenda Bashkimit Evropian.
“Akuzat janë shumë serioze. Diskutimet brenda BE-së janë konfidenciale dhe bazohen mbi parimet që qeverisin Bashkimin, të cilat përfshijnë bashkëpunimin me mirëbesim. Këto parime janë të panegociueshme,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Giese, duke iu referuar raportit dhe citimit të një “zyrtari evropian të sigurisë”.
Sipas raportit, Szijjártó zhvillonte biseda të rregullta telefonike me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, gjatë pushimeve dhe takimeve të BE-së, me qëllim që ta informonte atë në kohë reale mbi diskutimet dhe vendimet e Brukselit. Një zyrtar evropian cituar nga gazeta tha se “për vite me radhë, në pothuajse çdo takim të BE-së, Lavrov ishte në tryezë,” si pjesë e hetimeve mbi mbështetjen e Moskës ndaj kryeministrit hungarez, Viktor Orbán.
Martin Giese theksoi më tej: “Ne nuk do të tolerojmë asnjë shkelje të këtyre parimeve. Tani i takon qeverisë hungareze të përgjigjet. Është e qartë se asnjë shtet anëtar nuk mund të veprojë në kundërshtim me parimet e BE-së.”
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh brenda Bashkimit Evropian, pasi përshkallëzon tensionet mbi besueshmërinë e shteteve anëtare në mbrojtjen e informacionit konfidencial dhe koordinimin e politikave të jashtme. Për momentin, Hungaria nuk ka bërë ende asnjë deklaratë zyrtare për raportin, ndërsa BE-ja ka paralajmëruar se do të kërkojë sqarime të detajuara nga qeveria hungareze.


