Site icon Informohu siç duhet

“Bashkëjetuesi i ri i nënës më rrihte dhe më nxirrte në rrugë”/ Rrëfimi tronditës i 12-vjeçares, detyrohej të lypte nën kërcënimin me armë

Një rast tronditës i shfrytëzimit dhe dhunës ndaj një të miture është zbuluar në Elbasan, ku një vajzë 12-vjeçare ka rrëfyer se bashkëjetuesi i ri i nënës e dhunonte dhe e detyronte të dilte në rrugë për të lypur.

Rasti është bërë publik në emisionin investigativ Inside Story, i cili ka siguruar dosje që hedhin dritë mbi nivelin ekstrem të abuzimit ndaj fëmijëve dhe rrezikun e trafikimit të tyre.

Sipas materialeve hetimore, shtetasi Fjodor Berati, me banim në Ferizaj, dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij dhe vajzës së saj nga martesa e mëparshme.

Nëna e vajzës është paraqitur në Komisariatin e Kukësit, ku ka kallëzuar partnerin për dhunë të vazhdueshme ndaj saj dhe fëmijës. Ajo ka deklaruar se prej dy vitesh bashkëjetonte me të dhe se nga kjo lidhje kishin edhe një djalë 7 muajsh.

Por pjesa më e rëndë e dosjes lidhet me dëshminë e 12-vjeçares, e cila ka treguar se detyrohej me forcë të dilte në rrugë për të lypur.

Sipas dëshmisë së saj, burri e nxirrte jashtë kundër vullnetit të saj, e kërcënonte me armë dhe i kërkonte t’i dorëzonte paratë që siguronte.

Vajza ka rrëfyer gjithashtu se ai dhunonte nënën e saj në sy të fëmijëve, e ofendonte dhe ushtronte terror psikologjik në familje.

Prokurorja Glenda Zeneli ka shpjeguar se raste të tilla trajtohen me kujdes të veçantë nga drejtësia, pasi mund të përfshijnë jo vetëm keqtrajtim të të miturve, por edhe elementë të trafikimit.

Sipas saj, nëse një fëmijë zhvendoset në një vend tjetër dhe detyrohet të lypë nga persona që nuk kanë përgjegjësi prindërore, rasti mund të klasifikohet si trafikim i të miturve.

Në këtë rast, Prokuroria e Elbasanit ka ndërhyrë në kohë, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe duke nisur procedurat ligjore.

Ekspertët e mbrojtjes së fëmijëve paralajmërojnë se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një realiteti shumë më të gjerë të shfrytëzimit dhe dhunës ndaj të miturve, që shpesh mbetet i padukshëm për institucionet dhe shoqërinë.

Exit mobile version