Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit dhe ish-kreut të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
Në një mesazh ngushëllimi, Topi vlerëson Nanon si një politikan qytetar, liberal dhe modern, i cili dinte të komunikonte dhe të ruante dialogun edhe me kundërshtarët e tij politikë.
“Keqardhje për ndarjen nga jeta të z. Fatos Nano. Nano ishte një politikan qytetar, liberal dhe komunikues modern në politikë e në shoqëri. Sjellja e tij politike me kundërshtarët ishte plot predispozicion për dialog e kompromis,” shkruan Topi.
Ish-presidenti kujton gjithashtu një moment të rëndësishëm politik, kur Nano – pavarësisht dallimeve politike – votoi për zgjedhjen e tij si President të Republikës, duke shmangur një krizë politike dhe kushtetuese.
“Personalisht i jam mirënjohës, pasi tejkaloi pozicionin e tij politik për të më votuar si President i Republikës, duke mënjanuar krizën politike e kushtetuese. U prehtë në paqe të përjetshme!”, përfundon Topi.


