Site icon Informohu siç duhet

Bamir Topi: PD duhet të shkëputet përfundimisht nga Berisha

"Berisha duhet të ishte larguar nga politika"/ Topi: Ramën s'mund ta rrëzojnë, e katandisi opozitën

Në një intervistë të dhënë për emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa, ish-presidenti Bamir Topi analizoi me tone kritike rezultatin e opozitës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe qëndrimin e lidershipit të Partisë Demokratike pas këtij procesi. Sipas Topit, opozita duket se është e kënaqur me rezultatin, pavarësisht humbjes, dhe këtë e cilësoi si shenjë të një hipokrizie të qëndrueshme politike, sidomos nga ana e Sali Berishës.

Topi theksoi se Berisha e kishte të qartë paraprakisht rezultatin dhe nuk është e sinqertë mënyra se si ai e ka menaxhuar reagimin pas zgjedhjeve. Për ish-presidentin, PD duhet të shkëputet përfundimisht nga Berisha dhe të mbyllë kapitullin politik dhe shpirtëror me të, duke theksuar se kjo nuk është çështje personale, por një domosdoshmëri për interesin publik dhe për rivendosjen e besimit tek institucionet dhe politika si shërbim për qytetarët, jo për individët.

Ai ngriti shqetësimin se shteti është kthyer në një instrument të partive dhe individëve të lidhur me politikën, duke lënë jashtë qytetarët që nuk janë pjesë e sistemit klientelist. “Shoqëria shqiptare është ndarë. Nuk është më shteti i qytetarëve, por i interesave të lidhura ngushtë me politikën,” tha Topi, duke shtuar se shumë prej atyre që kishin shpresuar të riktheheshin në punë përmes ardhjes në pushtet të PD-së tani ndihen të tradhtuar.

Në përfundim, ai apeloi për reflektim të thellë në radhët e demokratëve dhe për ndërtimin e një alternative të re, të ndershme dhe të besueshme për qytetarët shqiptarë.

Exit mobile version